Nawaf Alojrush
00966 50 6110244
Sot, delegacioni i Fondit Saudit për Zhvillim, i kryesuar nga Drejtori i Përgjithshëm i Departamentit të Operacioneve Aziatike, Dr. Saud bin Ayed Al-Shammari, vuri gurin e themelit për projektin e rehabilitimit dhe ndërtimit të objekteve publike buzë rrugës bregdetare Vlorë - Orikum, në Republikën e Shqipërisë, në prani të Shkëlqesisë së saj Ministres së Turizmit dhe Mjedisit të Shqipërisë, znj. Mirela Kombaro, dhe Shkëlqesisë së Tij, Ambasadorit të Kujdestarit të Dy Xhamive të Shenjta në Shqipëri, z. Faisal Hefzi, me pjesëmarrjen e disa zyrtarëve të tjerë.
Financimi i këtij projekti vjen përmes një kredie të butë zhvillimore të ofruar nga Fondi Saudit për Zhvillim në shumën totale prej (30) milionë dollarë.
Projekti synon të rrisë standardet e ofrimit të shërbimeve në zonën e plazhit, përbri rrugës e cila do të rehabilitohet e gjitha, përfshirë ndërtimin e një piste për biçikleta, një trotuari për këmbësorë dhe ndërtimin e parkingjeve me kapacitet 500 vende. Kësaj i shtohet dhe rehabilitimi i lulishteve ekzistuese dhe ndërtimi i të rejave, ndërtimi i objekteve për shërbime publike dhe pajisja e tyre me shërbimet bazë, përkatësisht ujë, energji elektrike dhe kanalizime.
Projekti do të shërbejë në rritjen e nivelit tregtar dhe ekonomik, uljen e kostove të transportit, mbështetjen e mundësive jetike për punë direkte dhe indirekte, si dhe përmirësimin e shëndetin publik të përfituesve. Projekti synon të arrijë dhe një sërë objektivash rreth zhvillimit të qëndrueshëm, duke përfshirë objektivat nr. 11, 15 dhe 17 që kanë të bëjnë me krijimin e qyteteve dhe komuniteteve të qëndrueshme, përmirësimin e jetesës, si dhe forcimin e partneriteteve zhvillimore për të përmbushur objektivat.
Shkëlqesia e saj, Ministrja Kumbaro vlerësoi përpjekjet zhvillimore të ndërmarra nga Mbretëria e Arabisë Saudite nëpërmjet Fondit Saudit për Zhvillim, në Republikën e Shqipërisë që prej vitit 2009, duke vënë në dukje thellësinë e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit të përbashkët mes dy palëve. Ajo theksoi se ky projekt do të kontribuojë në zhvillimin ekonomik dhe hapjen e vendeve të reja të punës
Ambasadori Faisal Hefzi vlerësoi rëndësinë e këtij projekti, i cili prek jetën e qytetarit shqiptar dhe reflekton vendosmërinë e Qeverisë Saudite, nëpërmjet Fondit, për të mbështetur projektet e zhvillimit në shtetet simotra dhe mike, përfshirë Republikën e Shqipërisë, me të cilën Mbretëria ka marrëdhënie të ngushta.
Nga ana e tij, Dr. Saud Al-Shammari shpjegoi se ky projekt buron nga interesimi i qeverisë së Mbretërisë, që nëpërmjet Fondit, të mbështesë projektet dhe programet e zhvillimit në Republikën e Shqipërisë. Ai vlerësoi përpjekjet e përbashkëta mes Mbretërisë Saudite dhe Republikës Shqiptare dhe uroi Qeverinë dhe popullin shqiptar për më shumë prosperitet dhe zhvillim, duke veçuar urimin që ky projekt të jetë një nga degët e zhvillimit.
Vlen të theksohet se Qeveria e Mbretërisë së Arabisë Saudite i kushton një rëndësi të madhe mbështetjes së sektorëve të zhvillimit në Republikën e Shqipërisë nëpërmjet projekteve dhe programeve zhvillimore të financuara nga Fondi Saudit për Zhvillim. Gjatë viteve të fundit, krahas këtij projekti, Fondi ka dhënë edhe katër kredi zhvillimore për financimin e tre projekteve zhvillimore me vlerë mbi 114.5 milionë dollarë, me qëllim zhvillimin e sektorit të infrastrukturës dhe arritjen e synimeve të zhvillimit të qëndrueshëm.